Prishtinë, Kosovë, 29 qershor 2023—Mikro-ndërmarrjet, agro-bizneset dhe fermerët e vegjël, përfshirë bizneset në pronësi të grave në zona rurale dhe gjysmë urbane në mbarë Kosovën, do të përfitojnë nga qasja e përmirësuar në financa. IFC-ja dhe Dritarja për Sektorin Privat e Programit Global të Bujqësisë dhe Sigurisë Ushqimore (GAFSP) vazhdojnë të investojnë në tri institucionet kryesore mikrofinanciare (IMF) në Kosovë. Synimi është të përforcohet konkurrueshmëria në hapësirën agro-financiare, të krijohen vende pune, të përmirësohen mjetet e jetesës, si dhe të rritet siguria ushqimore në vend.
Financimi përfshin tri hua senior, njëra deri në 9 milionë euro për IMF-në KEP Trust (KEP), tjetra deri në 8 milionë euro për IMF-në Kreditimi Rural i Kosovës (KRK), dhe e fundit deri në 6 milionë euro për IMF-në Agjensioni për Financim në Kosovë (AFK), të ndara në mënyrë të barabartë nga IFC-ja dhe GAFSP-ja.
Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) përbëjnë 99 për qind të bizneseve në Kosovë, por hendeku i financimit për këtë segment është i dukshëm (përafërsisht 10 për qind e BPV-së). Sektori bujqësor mbetet jo i zhvilluar sa duhet dhe dominohet nga ferma të vogla të nevoja të amvisërive dhe objekte informale për përpunim të produkteve. Në fund të vitit 2022, kreditë bujqësore përfaqësonin vetëm 2.1 për qind të kredive aktive të sektorit bankar. Kjo është më e dukshme për bizneset e vogla në pronësi të grave, të cilat përballen me më shumë kufizime sesa huamarrësit meshkuj (49 për qind kundrejt 27 për qind), ndërkohë që shkalla e punësimit të grave është vetëm 14 për qind (43 për qind për burrat), ndër më të ulëtat në Evropë.
Fondet e siguruara nga huatë e IFC-së do të përdoren për kreditim për ndërmarrës individualë dhe mikro-biznese në Kosovë, dhe 50 për qind e fondeve janë të dedikuar për agro-bizneset dhe së paku 20 për qind për ndërmarrjet në pronësi të grave.
Gjithashtu, përmes shërbimeve të veta këshillimore, IFC-ja do t'i mbështesë përpjekjet e të tri IMF-ve për t'i përmirësuar dhe rritur portofolet e tyre të mikro-kreditimit. Në mënyrë të veçantë, IFC-ja do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve të tyre për t'i përmirësuar procedurat dhe proceset për kreditimin e fermerëve dhe firmave në sektorin bujqësor përmes digjitalizimit dhe teknologjive bujqësore që e shfrytëzojnë klimën më mënyrë të mençur.
"Një nga prioritetet kyçe të IFC-së në Kosovë është përmirësimi i qasjes në kreditim për NMVM-të, veçanërisht për segmentet që nuk marrin shërbime të mjaftueshme, siç janë fermerët, kompanitë rurale dhe firmat në pronësi të‐femrave," u shpreh Alfonso Garcia Mora, Zëvendës President për Evropën, Amerikën Latine dhe Karaibe.. "Sektori mikrofinanciar duhet të luajë rol të fortë që të ndihmojë në mbështetjen e rritjes ekonomike dhe gjithëpërfshirjes, çlirimin e shpirtit ndërmarrëse të popullatës, si dhe për krijimin e mundësive për të gjithë në vend."
Të tri IMF-të ofrojnë financim për sektorin e agrobiznesit në Evropën Juglindore, dhe janë prej kohësh partnere të IFC-së dhe Dritares për Sektorin Privat të GAFSP-së.
Rreth IFC-së
IFC-ja - anëtare e Grupit të Bankës Botërore - është institucioni më i madh zhvillimor global i fokusuar në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Ne punojmë në më shumë se 100 vende, duke përdorur kapitalin, ekspertizën dhe ndikimin tonë për të krijuar tregje dhe mundësi në vendet në zhvillim. Gjatë vitit fiskal 2022, IFC-ja ka derdhur shifrën rekord prej 32.8 miliardë dollarë amerikanë për kompani private dhe institucione financiare në vende në zhvillim, duke shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për t'i dhënë fund varfërisë së skajshme dhe për të përforcuar veprimet për begati të përbashkët, ndërkohë që ekonomitë përballen me ndikimet e krizave të mbivendosura globale. Për më shumë informata, vizitoni www.ifc.org.
Qëndroni në lidhje
www.facebook.com/IFCwbg
www.twitter.com/IFC_org
www.youtube.com/IFCvideocasts
www.ifc.org/SocialMediaIndex
www.instagram.com\ifc_org
Rreth Programit Global të Bujqësisë dhe Sigurisë Ushqimore (GAFSP)
Programi Global i Bujqësisë dhe Sigurisë Ushqimore (GAFSP) është një përpjekje globale që mbledh burimet e donatorëve për të financuar programe të fokusuara në rritjen e produktivitetit bujqësor, si një mënyrë për të ulur varfërinë dhe për të rritur sigurinë e ushqimit dhe të ushqyerit. Dritarja për Sektorin Privat, e administruar nga IFC-ja dhe e përkrahur nga qeveritë e Australisë, Kanadasë, Japonisë, Holandës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, ofron kredi afatgjata dhe afatshkurtra, garanci kreditore, kapital dhe asistencë teknike për kompanitë e sektorit privat dhe ndërmjetësit financiarë. Ajo i lidh fermerët e vegjël me tregjet duke përmirësuar qasjen e tyre në financa, teknologji, ekspertizë dhe inpute.
Sign up to have customizable news & updates sent to you.