Bruksel, Belgjikë, 20 dhjetor 2022— IFC-ja dhe Bashkimi Evropian (BE) nënshkruan të parin nga projektet e hartuara për trajtimin e çështjeve kryesore të zhvillimit, të identifikuara në Planin Ekonomik dhe të Investimeve (PEI) të financuar nga BE-ja për Ballkanin Perëndimor 2021-2027 dhe që do të zbatohen nëpërmjet Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (KIBP). Këto projekte do të fokusohen në energjinë e rinovueshme, ndryshimet klimatike dhe për një sektor privat më të fortë. Qëllimi i tyre është të nxisë integrimin ekonomik rajonal, të mbështesë ekonominë e gjelbër, energjinë e rinovueshme dhe dixhitalizimin si edhe reformat e nevojshme për të avancuar në rrugën e pranimit në BE.
Projekti i parë në kuadrin e këtij partneriteti ka për qëllim të ndihmojë përparimin në fushën e dekarbonizimit dhe përmirësimin e eficiencës së burimeve të parqeve industriale anembanë rajonit. Diagnostikimi paraprak do të pasohet nga zbatimi i katër projekteve pilot për parqet industriale në Serbi, Bosnje dhe Herzegovinë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Kosovë dhe Shqipëri.
IFC-ja, së bashku me Bankën Botërore (BB), është institucioni financiar ndërkombëtar që i është bashkuar së fundmi KIBP-it, duke krijuar një partneritet me rëndësi të madhe për të mbështetur veprimtarinë e sektorit privat në rajon, trajtimin e çështjeve emergjente të zhvillimit, krijimin e vendeve të punës dhe sigurimin e qendrueshmërisë afatgjatë.
Katarína Mathernová, Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit të Komisionit Evropian dhe kryetare e KIBP-it, përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes së parë të bashkëpunimit me IFC-në përmes KIBP-it duke thënë: "Nënshkrimi i sotëm shënon një arritje të rëndësishme. Ai konsolidon zyrtarisht partneritetin e Komisionit Evropian dhe IFC-së në Ballkanin Perëndimor përmes KIBP-it dhe krijon mundësi për investime publike dhe private për të lehtësuar tranzicionin energjetik të parqeve të ndotura industriale".
Projekte të tjera të parashikuara synojnë të mobilizojnë instrumente financiare të garantuara për shoqëritë e agrobiznesit të afta për të përballuar kredi, duke mundësuar modernizimin shumë të nevojshëm të sektorit, transformimin dixhital dhe përmirësimin e kapaciteteve të ndërmjetësve financiarë për çështjet e ndryshimeve klimatike, duke i lejuar ata të zgjerojnë shtrirjen e tyre tek Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM).
"Ne jemi krenarë për partneritetin tonë të fortë me BE-në në Ballkanin Perëndimor. Ky është një rajon ku ne shohim potencial të jashtëzakonshëm për të përshpejtuar rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve duke ndihmuar sektorin privat," tha Alfonso Garcia Mora, Zëvendës President i IFC-së për Evropën, Amerikën Latine dhe Karaibet. "Projektet tona bazuar në këtë partneritet do të ndihmojnë në krijimin e mundësive për investime në rajon, rritjen e konkurrencës dhe përmirësimin e kapaciteteve përballuese ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike."
KIBP siguron financim për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve prioritare në infrastrukturë, duke përfshirë burime nga Instrumenti i Komisionit Evropian për Asistencën e Para-Aderimit (IPA), 20 donatorë dypalësh, hua nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe financat kombëtare.
Rreth IFC-së
IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, është institucioni më i madh zhvillimor global i fokusuar në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Ne punojmë në më shumë se 100 vende, duke përdorur kapitalin, ekspertizën dhe ndikimin tonë për të krijuar tregje dhe mundësi në vendet në zhvillim. Në vitin fiskal 2022, IFC-ja angazhoi një rekord prej 32.8 miliardë dollarësh për shoqëritë private dhe institucionet financiare në vendet në zhvillim, duke shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për t'i dhënë fund varfërisë ekstreme dhe për të nxitur prosperitetin e përbashkët, ndërsa ekonomitë përballen me ndikimet e krizave të ndërlikuara globale. Për më shumë informacion, vizitoni www.ifc.org.
Qendroni të lidhur:
www.facebook.com/IFCwbg
www.twitter.com/IFC_org
www.youtube.com/IFCvideocasts
www.ifc.org/SocialMediaIndex
www.instagram.comëifc_org
Rreth KIBP-it
Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (KIBP) është një nismë e përbashkët e BE-së, organizatave financiare, donatorëve dypalësh dhe përfituesve, që synon të rrisë harmonizimin dhe bashkëpunimin në investime për zhvillimin socio-ekonomik të rajonit dhe të kontribuojë në perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. KIBP është instrumenti kryesor për zbatimin e planit ambicioz ekonomik dhe të investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Për më shumë informacion, vizitoni wbif.eu dhe europa.eu.
Sign up to have customizable news & updates sent to you.