Prishtinë, Kosovë, 16 shkurt 2022—Një projekt i ri këshillimor i IFC-së po mbështet qeverinë e Kosovës në rritjen e mundësive për banim të përballueshëm në vend, duke ndihmuar në përmirësimin e jetës për banorët dhe rritur zhvillimin gjithëpërfshirës afatgjatë.
Ary Naim, Menaxher Rajonal i IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore dhe Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Foto kredit: MMPHI-Ministria
Ekipi i IFC-së do të punojë me qeverinë për kryerjen e hulumtimeve paraprake për projektin, i cili do të përfshijë një vlerësim të të përgjithshëm të tregut dhe analizë fizibiliteti, si dhe analiza teknike dhe ligjore. Ekipi do të hulumtojë gjithashtu qëndrueshmërinë e shfrytëzimit afatgjatë të sipërfaqeve të tokës të zgjedhura nga qeveria, do të krahasojë projekte banimi të përballueshme në vende të tjera për të ofruar rekomandime dhe zhvilluar një sërë modelesh zbatimi për një shfrytëzim më të mirë të burimeve publike.
Sipas një sondazhi të vitit 2018, më shumë se gjysma e 1.8 milionë banorëve të Kosovës përballen me vështirësi sa i përket kostove të banimit. Opsionet e banimit janë të kufizuara, një pjesë për shkak se një e katërta e sipërfaqeve të banimit në Kosovë u shkatërrua gjatë konfliktit përgjatë viteve të 90-ta.
Megjithëse sektorët e pasurive të paluajtshme dhe të ndërtimit po lulëzojnë në këtë periudhë, pjesa më e madhe e ndërtimeve të lejuara të banesave është orjentuar drejt apartamenteve të nivelit të lartë, me një numër të pa mjaftueshëm të banesave të përballueshme për të përmbushur kërkesat në treg. Një mjedis i dobët rregullator e ka përkeqësuar situatën. Për të lehtësuar problemin, qeveria e re e zgjedhur në mars 2021, e ka bërë prioritet banimin e përballueshëm.
"Qëllimi ynë me këtë projekt është të adresojmë një nga nevojat më urgjente të qytetarëve tanë, që është banimi i përballueshëm", tha z. Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. "Bërja e mundur që qytetarët tanë të zotërojnë banesa cilësore me çmime të përballueshme jo vetëm që do të përmirësojë cilësinë e jetës së tyre, por gjithashtu do të ndihmojë në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe rritjes së qëndrueshme në Republikën e Kosovës".
Planet e qeverisë janë për ndërtimin e 4,000 njësi banimi moderne me çmime të përballueshme, të ndërtuara në mënyrë të qëndrueshme dhe fillimisht të destinuara për punonjësit e sektorit publik. Ekipi i IFC-së do të ndërmarrë gjithashtu një analizë gjithëpërfshirëse të tregut të banesave në Kosovë me çmim të përballueshëm për të ofruar rekomandime në ndihmë të rritjes së këtij numri.
Projekti është bazuar në strategjinë e Grupit të Bankës Botërore për Kosovën e cila fokusohet në nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, duke u ofruar qytetarëve më shumë mundësi për një jetë më të mirë.
"Sigurimi i mundësive të përshtatshme të banimit të përballueshëm është kritik – jo vetëm për ofrimin e strehimit, sigurisë dhe vendeve të punës për banorët, por edhe për përfitimet e tyre indirekte në aspektin e shëndetit dhe perspektivën gjinore", tha z. Ary Naïm, Menaxher Rajonal i IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore. "Ky projekt është bazuar në strategjinë e IFC-së për të trajtuar çështjet që lidhen me ofertën dhe kërkesën për banim me çmime të përballueshme, veçanërisht në qytetet që urbanizohen me shpejtësi. Projekti do të ndihmojë në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës."
Rreth IFC-së
IFC-ja – anëtare e Grupit të Bankës Botërore – është institucioni më i madh zhvillimor global i përqendruar në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Ne punojmë në më shumë se 100 vende të botës, duke përdorur kapitalin, ekspertizën dhe ndikimin tonë për të krijuar tregje dhe mundësi në vendet në zhvillim. Në vitin fiskal 2021, IFC ka investuar një shumë rekord prej 31.5 miliardë dollarë amerikanë në kompani private dhe institucione financiare në vendet në zhvillim, duke shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për t'i dhënë fund varfërisë së skajshme dhe për të rritur prosperitetin e përbashkët, ndërsa ekonomitë përballen me ndikimet e pandemisë COVID-19. Për më shumë informacion, vizitoni www.ifc.org.
Qëndroni në lidhje
www.facebook.com/IFCwbg
www.twitter.com/IFC_org
www.youtube.com/IFCvideocasts
www.ifc.org/SocialMediaIndex
www.instagram.comëifc_org
Sign up to have customizable news & updates sent to you.