Press Release

IFC emëron Zj. Ines Rocha si Drejtoreshën e re Rajonale për Evropën

maj 27, 2024

Vjenë, Austri, 27 maj 2024—IFC ka emëruar Zj. Ines Rocha në pozicionin e Drejtoreshës Rajonale për Evropën. Zj. Rocha do të punojë nga zyra e Vjenës dhe do të ketë një rol kyç në tërheqjen e investimeve të sektorit privat dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Evropën Qendrore dhe Lindore, me fokus në zhvillimin ekonomik të gjelbër, teknologjinë dixhitale dhe përfshirjen financiare, si dhe drejtimin e programeve të IFC-së në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ajo gjithashtu do të drejtojë përpjekjet e IFC-së për zhvillimin e biznesit në Evropën Perëndimore për të mobilizuar kapitalin dhe njohuritë në nxitje të rritjes së qëndrueshme ekonomike në tregjet në zhvillim.

Zj. Rocha, një shtetase portugeze dhe britanike, ka mbi 20 vjet përvojë në fushën financiare për zhvillimin ekonomik, së fundmi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ku ajo mbulonte bankat e Bashkimit Evropian dhe strukturimet financiare në mbështetje të bizneseve të vogla në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore.

Kohët e fundit, Zj. Rocha, si drejtuese e Departamentit të Ndikimit dhe Partneritetit në BERZH ndaj krizës në Ukrainë, ndihmoi në mobilizimin e një shume rekord nga aksionarët kryesorë dhe donatorë në ndihmë të ekonomisë dhe sektorit privat të Ukrainës. Në këtë rol, ajo bashkëpunoi ngushtë me institucionet financiare zhvillimore dhe bankat shumëpalëshe të zhvillimit, duke përfshirë Bankën Botërore, Agjencinë Shumëpalëshe të Garancisë së Investimeve (MIGA) dhe IFC. Më parë, ajo ka punuar në Bankën e Investimeve UBS Bank dhe Bankën Qendrore të Portugalisë.

"Përvoja e madhe e Zj. Rocha e bën atë shumë të përshtatshme për këtë rol, veçanërisht tani kur ne ende vazhdojmë të punojmë në kushtet e ndikimit të pushtimit rus të Ukrainës", tha Alfonso Garcia Mora, Zëvendës President i IFC-së për Evropën, Amerikën Latine dhe Karaibeve. Jam i bindur se ajo do të jetë në gjendje t'i orientojë programet e IFC-së në nivele edhe më të larta, duke ndihmuar në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të gjelbër, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, si dhe duke mobilizuar më shumë investime nga Evropa Perëndimore drejt tregjeve në zhvillim."

Në rolin e saj si Drejtoreshë Rajonale, Zj. Rocha do të fokusohet në drejtimin e ekipeve rajonale të IFC-së në zyrat e vendeve të Evropës Perëndimore, Qendrore dhe Lindore, si dhe në menaxhimin e marrëdhënieve me klientët, qeveritë dhe palët e interesuara. Ajo gjithashtu do të punojë dhe drejtojë zbatimin e strategjisë së IFC-së në rajon, duke punuar ngushtë me Bankën Botërore dhe MIGA-n, do të udhëheqë zhvillimin e biznesit dhe do të mbikqyrë operacionet e IFC-së në të gjithë sektorët.

Zj. Rocha ka përfunduar studimet pasuniversitare në London School of Economics.

Rreth IFC-së

IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, është institucioni më i madh ne bote për zhvillim me fokus në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Ne punojmë në mbi 100 vende, duke përdorur kapitalin, ekspertizën dhe ndikimin tonë për të krijuar tregje dhe mundësi në vendet në zhvillim. Në vitin fiskal 2023, IFC-ja investoi shifrën rekord prej 43.7 miliardë dollarë ne shoqëri private dhe institucione financiare në vendet në zhvillim, duke shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për t'i dhënë fund varfërisë së skajshme dhe për të nxitur prosperitetin e përbashkët teksa ekonomitë përballen me ndikimet e krizave të njëpasnjëshme botërore. Për më shumë informacion, vizitoni www.ifc.org.

Qëndro i lidhur në IFC on social media

 

 


Contacts

Ivan Mišković
Në Beograd
+381 11 330 89 50