Vjenë, Austri, 4 tetor 2023-Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM-të) dhe individët në Kosovë, veçanërisht firmat në pronësi të grave, do të kenë qasje të zgjeruar në financim, duke pasur IFC-në që ka shpallur dhënien e kredisë deri në 5 milionë euro për Raiffeisen Leasing Kosovo LLC. Qëllimi është të nxitet konkurrenca në tregun e financave të NMVM-ve dhe të krijohen vende pune, duke mbështetur gjithashtu tranzicionin e gjelbër të vendit.
Kredia për Raiffeisen Leasing Kosovë— angazhimi i parë i IFC-së me kompaninë më të madhe të lizingut në Kosovë, do t'i mundësojë kompanisë të diversifikojë financimin e saj dhe të rrisë kreditimin për segmente kyçe, duke zgjeruar kreditimin klimatik dhe gjinor në vend. Angazhimi i IFC-së do të nxjerrë në pah po ashtu qëndrueshmërinë e kreditimit për NMVM-të e pambuluara, duke ndihmuar kompaninë të grumbullojë edhe fonde të tjera shtesë.
"Ne në Raiffeisen Leasing Kosova kemi kënaqësinë të nënshkruajmë kontratën e parë të financimit me IFC. Me këtë financim, presim me padurim t'u shtojmë vlerë klientëve tanë të qiradhënies që kërkojnë financim për nevojat e tyre të biznesit. Jemi plotësisht të bindur që kjo përvojë me IFC-në do të hapë rrugën për bashkëpunim të mëtejshëm dhe më të madh në të ardhmen", tha Gjon Gjonlleshaj, Drejtor Ekzekutiv i Raiffeisen Leasing në Kosovë.
Pesëdhjetë për qind e huasë do të vijë nga llogaria e vetë IFC-së, ndërsa 50 për qind nga Instrumenti i Përzier Financues nga Dritarja e Sektorit Privat, që ofrohet nga Asociacioni Ndërkombëtar i Zhvillimit (IDA). Të ardhurat e kredisë do të përdoren për huadhënie të mëtejshme për NMVM-të dhe individët në Kosovë, ku NMVM-të në pronësi të grave do të mbështeten nga Iniciativa e Financimit të Grave Sipërmarrëse (We-Fi) dhe Instrumenti për Mundësi të Grave Sipërmarrëse (WEOF). Në partneritet me Iniciativën për 10.000 Gra nga Goldman Sachs, WEOF është struktura e parë në llojin e saj që i dedikohet zgjerimit të qasjes në kapital për gratë sipërmarrëse në mbarë botën.
Përderisa NMVM-të përbëjnë 99 përqind të bizneseve në Kosovë, hendeku financiar është i konsiderueshëm në rreth 10 përqind të BPV-së. Gratë që kanë në pronësi biznese të vogla janë edhe më të kufizuara në kredi sesa homologët e tyre meshkuj. Shkalla e punësimit për gratë është vetëm 14 për qind e punësimit total në vend, ndërsa gratë sipërmarrëse përbëjnë vetëm 7 për qind të NVM-ve.
Përveç kësaj, duke qenë të cenuar nga ndikimet e ndryshimeve klimatike, shumë qytete në Kosovë vuajnë nga cilësia e dobët e ajrit, ku sektori i transportit është një nga burimet kryesore të ndotjes. Si reagim, 75 për qind e financimit është alokuar për projekte që lidhen me klimën dhe 25 për qind për NMVM-të në pronësi të grave, një pjesë e të cilit do të përdoret për financimin e projekteve të gjelbra. Kjo do të ndihmojë në rritjen e disponueshmërisë së financimit klimatik për ndërrimin e makinave të vjetra me automjete hibride dhe elektrike, si dhe do të nxisë përdorimin e pajisjeve efikase në lëndë energjie dhe instalimeve të vogla fotovoltaike për të reduktuar konsumin e energjisë nga individët dhe NMVM-të në Kosovë. Është kredia e parë që demonstron qartë përdorimin e fondeve në aspekte gjinore të gjelbërta
"Ndërsa shënojmë 15-vjetorin e iniciativës 10,000 Gra nga Goldman Sachs, mbetemi të përkushtuar ndaj fuqizimit të grave sipërmarrëse për të përshpejtuar rritjen përmes qasjes në kapital," tha Charlotte Keenan, Drejtoreshë Globale e Iniciativës 10,000 Gra nga Goldman Sachs. "Kemi kënaqësinë të mbështesim Raiffeisen Leasing derisa kompania po zgjeron kreditimin për bizneset në pronësi të grave në Kosovë."
IFC do të mbështesë po ashtu Raiffeisen Leasing në përmirësim të praktikave të menaxhimit të rreziqeve mjedisore, sociale e financiare, së bashku me këmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira në kreditimin gjinor e klimatik.
"Një nga prioritetet kryesore të IFC-së në Kosovë është përmirësimi i qasjes në kredi për bizneset e vogla, veçanërisht firmat në pronësi të grave, derisa tkurren edhe emisionet," tha Rana Karadsheh, Drejtoreshë Rajonale e IFC-së për Evropën. "Investimi i IFC-së në një kompani lidere të lizingut pritet të ndihmojë në ofrimin e një opsioni fleksibël financimi për NMVM-të e pambuluara, duke nxitur konkurrencën përmes diversifikimit të produkteve dhe duke mbështetur tranzicionin e gjelbër të Kosovës për rritje të qëndrueshme."
Në lidhje me IFC-në
IFC— subjekt anëtar i Grupit të Bankës Botërore - është institucioni më i madh për zhvillimin global, që fokusohet tek sektori privat në tregjet në zhvillim. Ne punojmë me më shumë se 100 vende, duke përdorur kapitalin, ekspertizën dhe ndikimin tonë për të krijuar tregje e mundësi në vendet në zhvillim. Në vitin fiskal 2023, IFC zotoi një shifër rekorde prej 43.7 miliardë dollarësh për kompanitë private dhe institucionet financiare në vendet në zhvillim, duke shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për t'i dhënë fund varfërisë së skajshme dhe për të nxitur prosperitetin e përbashkët ndërsa ekonomitë ballafaqohen me ndikimet e krizave të ndërlikuara globale. Për më shumë informata, vizitoni www.ifc.org.
Qëndroni të lidhur
Rreth Raiffeisen Leasing në Kosovë
Raiffeisen Leasing Kosovo LLC është themeluar në vitin 2008, me seli në Prishtinë. Aktiviteti kryesor i shoqërisë është ofrimi i shërbimit të lizingut financiar për asetet e luajtshme dhe të paluajtshme. Gjatë këtyre viteve të funksionimit, Raiffeisen Leasing ka ndërtuar një pozitë stabile në tregun e Kosovës, duke e bërë atë kompani lidere në ofrimin e produkteve të lizingut për klientët në të gjithë territorin e Kosovës duke mbuluar nevojat e klientëve afarist dhe privat. Raiffeisen Leasing Kosovo LLC, si pjesë e Grupit Raiffeisen Bank International (RBI), që është banka e parë austriake që nënshkroi Parimet e OKB-së për Banka të Përgjegjshme, demonstron kështu përkushtimin për të ofruar shërbime të qëndrueshme kreditimi për shoqërinë dhe rolin tonë për financimin e një tranzicioni të gjelbër e të drejtë në Kosovë. Prandaj, lizingu i qëndrueshëm, me kritere sociale dhe të gjelbra, mbetet misioni që ne ndjekim në Raiffeisen Leasing Kosovë.
Lidhur me shërbimet bankare për Gra
Aktiviteti i IFC-së Banka për Gra ka mobilizuar dhe investuar mbi 4 miliardë dollarë në institucione financiare, veçanërisht për të financuar NVM-të e drejtuara nga gratë. Që nga lansimi i tij më 2010, aktiviteti Banka për Gra (Banking on Women) i IFC-së ka ofruar zgjidhje financiare dhe afariste për NVM-të e drejtuara nga gratë përmes partnerëve të institucioneve financiare, me 204 projekte investimesh dhe shërbimesh këshillimore në 66 vende. Nga këto, iniciativa WEOF ka siguruar 2.81 miliardë dollarë në alokime për 95 institucione financiare në 55 vende. Për më shumë informata, vizitoni bankingonwomen.com.
Rreth Dritares për Sektorin Privat nga IDA
Dritarja e Sektorit Privat nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) u lansua në vitin 2017 për të qenë katalizatore e investimeve të sektorit privat në vendet më të varfra dhe më të brishta. Duke njohur rolin kyç të sektorit privat në përmbushjen e objektivave të IDA-s dhe objektivave paralele të Bankës Botërore, Dritarja ofron burim financimi për bashkë-investim dhe garanton zbutjen e rreziqeve në investime private, mbështetur nga IFC dhe Agjencia për Garanci Multilaterale për Investime (MIGA). Dritarja PSW nga IDA është opsion kur nuk ka zgjidhje komerciale dhe veglat apo qasjet tjera të Bankës Botërore janë të pamjaftueshme. Për më shumë informata, vizitoni: http://ida.worldbank.org/psw.
Rreth 10,000 Gra nga Goldman Sachs
Iniciativa Goldman Sachs 10,000 Women është iniciativë e vazhdueshme për të nxitur rritjen ekonomike duke u ofruar grave sipërmarrëse anembanë botës edukim për afarizëm e menaxhim, si dhe qasje në kapital. Nisma ka prekur mbi 200,000 gra nga mbi 150 vende. Në partneritet me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), Iniciativa 10,000 Gra nga Goldman Sachs filloi strukturën e parë të llojit të Instrumentit financiar global më 2014, për të mundësuar qasje në kapital për më shumë gra sipërmarrëse. Programi i edukimit afarist të drejtpërdrejtë për 10,000 gra filloi në vitin 2008, duke arritur mbi 10,000 gra në 15 vende anembanë botës, ndërsa në vitin 2018, kurrikula 10,000 Gra u vu në dispozicion në internet përmes Coursera, duke demokratizuar më tej qasjen në këtë lloj edukimi afarist në edhe më shumë cepa të botës. Për më shumë informacion mbi investimin nga Goldman Sachs në sipërmarrëse gra, vizitoni:
https://www.goldmansachs.com/citizenship/10000women/
Rreth We-Fi
Iniciativa Financuese e Grave Sipërmarrëse (We-Fi) është partneritet bashkëpunues midis 14 qeverive që kanë dhënë kontribute financiare, gjashtë bankave zhvillimore shumëpalëshe që shërbejnë si partnerë zbatues dhe palëve të tjera publike dhe private. We-Fi u krijua zyrtarisht në tetor të vitit 2017 si Fond Ndërmjetësish Financiarë, organizuar nga Banka Botërore. We-Fi investon në programe dhe projekte që ndihmojnë në zhbllokimin e miliarda dollarëve në financim për të adresuar spektrin e plotë të barrierave me të cilat përballen gratë sipërmarrëse—duke rritur qasjen në financim, tregje, teknologji dhe mentorim, duke përforcuar politikat, kornizën ligjore e rregullatore. Si një nga partnerët zbatues të We-Fi, IFC mbështet klientët e sektorit privat me investime dhe shërbime këshillimore për të zgjeruar shërbimet financiare dhe qasjen në treg për firmat në pronësi/udhëhequra nga gratë, si dhe duke rritur kapacitetin e grave sipërmarrëse për të drejtuar biznese me rritje të lartë. Për më shumë informacion, vizitoni www.we-fi.org
Sign up to have customizable news & updates sent to you.