Press Release

IFC Emëron Menaxherin e Ri Rajonal për Ballkanin Perëndimor

gusht 24, 2023

Tiranë, Shqipëri, 24 gusht 2023 - IFC emëroi Nicolas Marquier në pozicionin e Menaxherit Rajonal për Ballkanin Perëndimor. Marquier do të jetë përgjegjës për përpjekjet rajonale të IFC-së për zhvillimin e sektorit privat dhe tërheqjen e investimeve të reja private në fusha kyçe, duke përfshirë ndërlidhjen dhe aftësinë ripërtëritëse klimatike, në kuadër të sfidave madhore ekonomike me të cilat përballet rajoni.

Në kuadër të pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe kushteve të vështira financiare në mbarë botën, ekonomitë e rajonit vijojnë të vuajnë, veçanërisht sa i përket çmimeve të larta të ushqimit dhe energjisë. Me gjithë pengesat, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mundësi të ruajnë një trajektore rritje me nivele të ulëta karboni, ndërkohë që kriza e vazhduar e energjisë thekson nevojën për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër me qëllim arritjen e rimëkëmbjes përfshirëse dhe rezistuese.

Në cilësinë e tij si Menaxher Rajonal për Ballkanin Perëndimor, Marquier theksoi nevojën për më shumë investime të sektorit privat, të cilat do t'i mundësojnë vendeve të rajonit të trajtojnë sfidat që lidhen me hapësirat e ngushta fiskale. 

"Partneriteti ndërmjet IFC-së dhe Ballkanit Perëndimor ka nisur më shumë se 30 vite më parë. Përmes këndvështrimit tonë unik si institucion financiar për zhvillimin udhëheqës në botë dhe si institucion i përqendruar në sektorin privat, jemi në pozicionin e përshtatshëm për të mbështetur rajonin dhe për ta ndihmuar atë të arrijë synimet e veta zhvillimore, ndërkohë që lehtësojmë edhe procesin e integrimit evropian në vendet e Ballkanit Perëndimor," tha Marquier.

Përpara se të merrte këtë detyrë, Marquier ka qenë Menaxher i zyrës së IFC-së në Singapor, Malajzi dhe Brunei. Në këtë pozicion ai përforcoi kapacitetet e zyrës rajonale qendrore të IFC-së për Azinë dhe Paqësorin dhe përshpejtoi investimet jashtë vendit nga sponsorizuesit me seli në Singapor. Më parë, Marquier ka qenë këshilltar i dy Drejtorëve Menaxhues, të njëpasnjëshëm në IFC-së.

"Strategjia jonë në Ballkanin Perëndimor është të mbështesim tranzicionin e gjelbër dhe digjital, duke ndihmuar në rritjen e aftësive ripërtëritëse ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike dhe duke përmirësuar konkurrueshmërinë," tha Rana Karadesh, Drejtori Rajonal i IFC-së për Evropën. Ajo shtoi, "Nga këtej e tutje, synimi jonë është të investojmë në të gjithë sektorët në rajon, veçanërisht në energji të rinovueshme, në industrinë bankare, shitjet me pakicë, prodhim, dhe kapital investimi, ndër të tjera."

Marquier zëvendëson në këtë pozicion Ary Naïm, i cili ishte përgjegjës për vendet e Ballkanit Perëndimore dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), përfshirë Poloninë, Rumaninë, Bullgarinë dhe Kroacinë, në cilësinë e Menaxherit Rajonal që prej gushtit të vitit 2020. Tanimë IFC-ja ka përcaktuar dy nënrajone të veçanta brenda rajonit të saj të Evropës për të ndihmuar më tej mbështetjen dhe stimulimin e zhvillimit të sektorit privat në Evropën Qendrore dhe Juglindore. Në këtë mënyrë, Marquier, i cili do të vendoset në Beograd, Serbi, do të jetë përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, dhe Ary Naïm, i vendosur në Varshavë, Poloni, është përgjegjës për vendet anëtare të BE-së.

Marquier ka kombësi franceze dhe mban diplomë bachelor për ekonomi dhe financë nga Universiteti i Durham në Mbretërinë e Bashkuar, dhe diplomë master në Menaxhim Organizativ nga Universiteti i Sorbone në Paris.

Rreth IFC-së

IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, është institucioni më i madh për zhvillim botëror që përqendrohet në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Ne punojmë në mbi 100 vende, duke përdorur kapitalin, ekspertizën dhe ndikimin tonë për të krijuar tregje dhe mundësi në vendet në zhvillim. Në vitin fiskal 2023, IFC-ja mobilizoi shifrën rekord prej 43.7 miliardë dollarë për shoqëritë private dhe institucionet financiare në vendet në zhvillim, duke shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për t'i dhënë fund varfërisë së skajshme dhe për të nxitur prosperitetin e përbashkët teksa ekonomitë përballen me ndikimet e krizave të njëpasnjëshme botërore. Për më shumë informacion, vizitoni www.ifc.org.

 

Qëndroni në kontakt

www.facebook.com/IFCwbg

www.twitter.com/IFC_org

www.youtube.com/IFCvideocasts

www.ifc.org/SocialMediaIndex

www.instagram.com/ifc_org

 


Contacts

Ivan Mišković
Në Beograd
+381 11 330 89 50