Press Release

IFC-ja Ofron Financim për Përshtatje Klimatike në Mbështetje të Parkut të Parë të Madh Fotovoltaik Diellor në Shqipëri.

prill 24, 2023

Tiranë, Shqipëri, 24 prill 2023 - Për të ndihmuar Shqipërinë të përmirësojë qëndrueshmërinë e saj klimatike, të diversifikojë burimet energjitike dhe të rrisë burimet e pastra dhe të përballueshme të energjisë, IFC-ja po ofron një paketë financimi prej 41 milion euro për Karavasta Solar sh.p.k. duke mbështetur shtu parkun më të madh fotovoltaik diellor në vend.

Financimi i IFC-së përfshin një hua të tipit A deri në 29 milionë euro dhe një hua të tipit B1 deri në 12 milionë euro, e cila është pjesë e një pakete më të gjerë financimi që përfshin një kredi deri në 58 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Intesa Sanpaolo. Voltalia - një zhvillues dhe ofrues shërbimesh në fushën e energjisë së rinovueshme në shkallë globale - ka themeluar Karavasta Solar sh.p.k., një shoqeri e krijuar për zhvillimin, ndërtimin dhe funksionimin e Parkut të Parë Fotovoltaik diellor (PFV) në shkallë të gjerë në Shqipëri.

Shqipëria mbështetet pothuajse tërësisht në burime hidrike për prodhimin e energjisë, i cili është sezonal dhe i pamjaftueshëm për të përmbushur kërkesën në rritje të vendit për energji. Si rezultat, vendi është shumë i varur nga importet e energjisë shumë të kushtueshme dhe me burime me bazë fosile. Gjithashtu, ndërprerjet e tregut rajonal të energjisë në Evropë dhe çmimet e larta të energjisë në nivel global rrisin nevojën e Shqipërisë për të zhvilluar më tej burimet e saj të energjisë së rinovueshme.

Ndryshimet klimatike po ndikojnë negativisht në prodhimin e energjisë nga hidrocentralet për shkak të uljes së reshjeve vjetore e cila pritet të vazhdojë më tej. Kërkesa vjetore për energji në Shqipëri pritet të rritet me 77% deri në vitin 2030 dhe prodhimi i energjisë elektrike nga hidrocentralet e mëdha pritet të ulet me rreth 15%-20%.

PFV-ja do t'i japë përparësi sigurimit të qëndrueshmërisë klimatike duke bërë të mundur furnizimin me energji elektrike edhe në kushtet e reshjeve të çrregullta, si dhe duke instaluar panelet në sipërfaqe më të larta për t'i mbrojtur ato nga përmbytjet. Financimi i përshtatjes klimatike i ofruar nga IFC-ja do të diversifikojë burimet e energjisë së rinovueshme të Shqipërisë, duke kontribuuar në fuqizimin e sektorit të energjisë.

Financimi i IFC-së do të mundësojë zhvillimin e një PFV-je prej 140 megavat, dhe të një linje ajrore transmetimi 19 kilometra të vendosura në bashkinë e Fierit. Pas vënies në punë, PFV-ja pritet të gjenerojë mbi 265 gigavat orë energji elektrike në vit, shoqëruar me reduktime të emetimit të gazeve serrë prej rreth 96,500 ton CO2 ekuivalente në vit duke mbështetur kështu synimet klimatike të Shqipërisë.

"Duke patur parasysh kapacitetin e lartë të instaluar prej 140 MWp, si dhe kohën e shkurtër të realizimit prej një viti e gjysmë, ky projekt ka shkaktuar një bum për energjinë diellore në vend," tha Constantin von Alvensleben, Menaxher i Voltalia-s për Shqipërinë. "Nënshkrimi i sotëm është një dëshmi e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së projektit. Është një moment i mrekullueshëm për të gjithë aktorët, përfshirë Qeverinë Shqiptare, Voltalia-n si zhvillues, huamarrës dhe kontraktor, si dhe konsorciumin bankar të përbërë nga BERZH, IFC dhe Banka Intesa San Paolo."

Projekti i Karavastasë do të mundësojë një strategji hibride komercializimi, që përbën një risi. Kjo përfshin shitjen e 50% të prodhimit të energjisë tek një shoqëri shtetërore me një çmim fiks, dhe shitjen e pjesës tjetër me çmimet e tregut, të kombinuar me një instrument mbrojtjeje të çmimit të energjisë për të shmangur paqëndrueshmërinë e çmimeve.

"Ne jemi shumë të kënaqur që po financojmë Karavasta Solar sh.p.k. dhe që po kontribuojmë në krijimin e një ndikimi transformues në matricën e burimeve të energjisë së Shqipërisë," tha Ary Naïm, Menaxher Rajonal i IFC-së për Evropën Qëndrore dhe Juglindore. "Ky investim tregon sesi me politika të mira, vendet e Ballkanit Perëndimor mund të tërheqin më së miri investime të reja private dhe të ofrojnë shërbime më të mira dhe më të qëndrueshme infrastrukturore, pa u mbështetur vetëm në burimet fiskale dhe njerëzore të qeverisë."

IFC-ja është institucioni më i madh financiar zhvillimor që mbështet sektorin privat në tregjet në zhvillim, duke investuar drejtpërdrejt si dhe në partneritet me institucione financiare në sektorët inteligjent ndaj  klimës (climate-smart). Ky projekt nxjerr në pah rolin kyç të IFC-së në hartimin e axhendës së energjisë së rinovueshme të vendit në përputhje me qasjen strategjike të IFC-së ndaj ndryshimeve klimatike.

Rreth IFC-së                                                                                         

IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, është institucioni më i madh i zhvillimit global i fokusuar në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Në vitin fiskal 2022, IFC-ja arriti një rekord angazhimi prej 32.8 miliardë dollarësh në investime për shoqëritë private dhe institucionet financiare në vendet në zhvillim, duke shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për t'i dhënë fund varfërisë ekstreme dhe për të nxitur prosperitetin e përbashkët, ndërkohë që ekonomitë përballen me ndikimet e krizave të ndërlikuara globale. Për më shumë informacion na vizitoni në: www.ifc.org

Qëndro lidhur në:

www.facebook.com/IFCwbg
www.twitter.com/IFC_org
www.youtube.com/IFCvideocasts
www.ifc.org/SocialMediaIndex
www.instagram.com\ifc_org                                www.ifc.org/infrastructure

Rreth Voltalia-s

Voltalia është një aktor ndërkombëtar në sektorin e energjisë së rinovueshme. Grupi prodhon dhe shet energji elektrike nga impiantet e erës, diellit, hidrologjike, biomasës dhe magazinimit që ajo zotëron dhe operon. Voltalia ka kapacitet gjenerues në funksionim dhe në proces ndërtimi  prej më shumë se 2.6 GW dhe një portofol projektesh në zhvillim me kapacitet total prej 14.2 GW. Voltalia është gjithashtu një ofrues shërbimesh duke mbështetur klientët e saj investitorë në projektet e energjisë së rinovueshme gjatë të gjitha fazave, nga projektimi deri tek funksionimi dhe mirëmbajtja. Si pioniere në tregun e korporatave, Voltalia ofron një ofertë globale për shoqëritë private, duke filluar nga furnizimi me energji elektrike të gjelbër dhe shërbimet e efiçencës së energjisë deri te prodhimi vendor i energjisë elektrike. Me më shumë se 1,550 punonjës në 20 vende në 3 kontinente, Voltalia ka kapacitetin të veprojë globalisht për klientët e saj. Voltalia është e listuar në tregun rregullator të Euronext Paris, kompartamenti B (FR0011995588 – VLTSA) dhe është pjesë e indekseve Enternext Tech 40 dhe CAC Mid & Small. Grupi përfshihet gjithashtu në Indeksin Gaïa, një indeks për shoqëritë mesatarisht të kapitalizuara.


Contacts

Ivan Miskovic
Në Beograd
+381 11 330 89 50