Tiranë, Shqipëri, 2 dhjetor 2022 — Një investim i ri nga IFC-ja do të ndihmojë në zgjerimin e infrastrukturave moderne të shitjes me pakicë si dhe në modernizimin e sektorit të shitjes me pakicë në Shqipëri. IFC-ja do të ofrojë deri në 40 milionë euro për të mbështetur planet e zgjerimit të shoqërisë lider në sektorin e shitjes me pakicë, "Balkan Finance Investment Group" (Grupi BALFIN) dhe filialit të tij "Tirana East Gate" (TEG), çka do të sjellë krijimin e vendeve të reja të punës, nxitjen e prodhimit vendas dhe forcimin e konkurrencës në tregun e shitjes me pakicë.
IFC–ja do të financojë zhvillimin e parqeve të reja moderne për shitjet me pakicë në vend, kryesisht në qytetet dytësore, dhe do të ndihmojë në zgjerimin dhe rinovimin e qendrës tregtare TEG. Parqet e shitjes me pakicë do të tregtojnë marka ndërkombëtare, duke ofruar një gamë më të madhe produktesh për klientët vendas dhe vizitorët e huaj dhe, njëherazi, do të ndihmojnë shoqëritë vendase të lidhen me zinxhirët globalë të furnizimit.
Gjithashtu, projekti do të mbështesë Grupin BALFIN për instalimin e paneleve diellore në qendrën tregtare TEG dhe certifikimin si ndërtime të gjelbra të parqeve të tij të shitjes me pakicë.
"Kjo marrëveshje konfirmon edhe një herë se Grupi BALFIN është në rrugën e duhur për t'u bërë një forcë ndryshimi në industritë ku operon. Arritjet tona të deritanishme na bëjnë të sigurtë në investimet tona të ardhshme, ndërsa mbështetja e IFC-së është një garanci shtesë për suksesin tonë", tha Edlira Muka, CEO e Grupit BALFIN.
Modernizimi i sektorit të shitjes me pakicë në Shqipëri do të ndihmojë në rritjen e shkallës së formalizimit të biznesit në një vend ku përmasa e sektorëve informalë shpesh pengon konkurrencën e ndershme dhe rritjen e bizneseve formale të vogla dhe të mesme. Ky investim mbështet edhe sektorin e turizmit, pasi disa nga qytetet e synuara dytësore janë ndër destinacionet me potencial të madh turistik ende të pashfrytëzuar në Shqipëri.
"Ne jemi të lumtur që po bëhemi partnerë me Grupin BALFIN për të mbështetur investimet në infrastrukturën e shitjes me pakicë të vendit, duke krijuar vende të reja pune, shërbime të reja dhe mundësi në të gjithë vendin," tha Rana Karadsheh-Haddad, Drejtoresha Rajonale e IFC-së për Evropën. "Ky investim është gjithashtu një sinjal i besimit tonë për zhvillimin social-ekonomik të Shqipërisë në të ardhmen afatgjatë."
Shqipëria u bë aksionere dhe anëtare e IFC-së në vitin 1991. Ne punojmë me sektorin privat, qeverinë dhe shoqërinë civile për të sjellë ekspertizën globale në vend, nëpërmjet shërbimeve këshillimore dhe investimeve në projekte të ndryshme.
Rreth IFC-së
IFC-ja është anëtare e Grupit të Bankës Botërore dhe institucioni më i madh i zhvillimit global me fokus në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Ne punojmë në më shumë se 100 vende, duke përdorur kapitalin, ekspertizën dhe ndikimin tonë për të krijuar tregje dhe mundësi në vendet në zhvillim. Në vitin fiskal 2022, IFC-ja angazhoi një rekord prej 32.8 miliardë dollarësh për kompanitë private dhe institucionet financiare në vendet në zhvillim, për të përdorur fuqinë e sektorit privat për t'i dhënë fund varfërisë ekstreme dhe për të nxitur prosperitetin e përbashkët në një kohë kur ekonomitë po përballen me pasojat e krizave të ndërlikuara globale. Për më shumë informacion, vizitoni www.ifc.org.
Na ndiqni
www.facebook.com/IFCwbg
www.twitter.com/IFC_org
www.youtube.com/IFCvideocasts
www.ifc.org/SocialMediaIndex
www.instagram.com\ifc_org
Rreth Grupit BALFIN
Grupi BALFIN (Balkan Finance Investment Group) është një nga grupet kryesore të investimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. I themeluar në vitin 1993 në Vjenë nga z. Samir Mane, sot Grupi BALFIN është i pranishëm në Austri, Shqipëri, Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Zvicër, Kroaci dhe Holandë. Grupi BALFIN, një grup i larmishëm me aktivitet në sektorët e pasurive të paluajtshme, shitjes me shumicë dhe pakicë, sistemit bankar, menaxhim asetesh, turizëm, media, arsim dhe logjistikë, punëson rreth 5200 punonjës. Në vitin fiskal 2021, vlera e pakonsoliduar e totalit të aktiveve të Grupit BALFIN arriti në 1.65 miliardë euro. Për më shumë informacion, vizitoni Web, Facebook, LinkedIn, Instagram.
Sign up to have customizable news & updates sent to you.