Press Release

IFC ndihmon duke ofruar mundësi për financime për agrobiznesin e vogël në Kosovë

mars 24, 2021

Prishtinë, Kosovë, 24 mars 2021—IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, po ndihmon duke ofruar mundësi financimi për fermerët dhe agrobizneset e vogla në Kosovë nëpërmjet një investimi të ri në Agjencionin për Financim në Kosovë (AFK), një nga institucionet kryesore të mikrofinancës në Kosovë. Kjo nismë është pjesë e një përpjekjeje nga IFC-ja për të nxitur rritjen dhe krijimin e vendeve të punës në mbarë vendin.

Bujqësia përbën gati 13 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Kosovës. Por, ky sektor aktualisht merr shumë pak shërbime nga sektori financiar, duke kufizuar kështu fondet e disponueshme dhe mundësitë e rritjes për bizneset e vogla dhe fermerët.  

AFK client _01.jpg

IFC-ja po krijon partneritet me Departamentin e Sektorit Privat në kuadër të Programit Global të Bujqësisë dhe Sigurisë së Ushqimit (GAFSP) për t'i dhënë AFK-së një kredi në vlerë prej 1 milion euro. Kjo është pjesë e një strategjie më të gjerë të këtyre dy institucioneve për të mbështetur investimet e sektorit privat në sektorin bujqësor të Kosovës, duke ofruar mundësi për financime për ndërmarrjet mikro dhe të vogla. 

"IFC-ja do të na ndihmojë të përmirësojmë dhe të rrisim shërbimet tona të huadhënies për sipërmarrësit dhe fermerët në Kosovë," tha Vahdet Anadolli, Drejtor Ekzekutiv i Agjencionit për Financim në Kosovë. "Kredia e IFC-së është një vlerësim i madh për punën që AFK-ja e ka bërë gjatë këtyre viteve të fundit." 

IFC do të mbështesë kompaninë ndërsa ajo rrit portofolin e saj të financave bujqësore, duke ndihmuar t'u tregojë huadhënësve të tjerë se si metodologjitë e përmirësuara dhe vlerësimet e rrezikut mund të hapin mundësi të reja biznesi në sektorin e bujqësisë.

"Me këtë investim ne riafirmojmë angazhimin tonë të fortë për të rritur mundësinë e financimit, për të krijuar vende pune dhe për të rritur prodhimin ekonomik," tha Ary Naïm, Menaxheri Rajonal i IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore. "Mbështetja e agrobizneseve të vogla dhe fermerëve është me përparësi të madhe për ne, veçanërisht në ditët e krizës të shkaktuar nga COVID-19."

Agjenconi  për Financim në Kosovë ka një kohë të gjatë që është partner i IFC-së dhe i Departamentit të Sektorit Privat të GAFSP-së në ofrimin e fondeve për sektorin e agrobiznesit në Evropën Juglindore.

Rreth IFC-së

IFC-ja – anëtare e Grupit të Bankës Botërore – është institucioni më i madh zhvillimor global i përqendruar në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Ne punojmë në më shumë se 100 vende të botës, duke përdorur kapitalin, ekspertizën dhe ndikimin tonë për të krijuar tregje dhe mundësi në vendet në zhvillim. Në vitin fiskal 2020, kemi investuar 22 miliardë dollarë amerikanë në kompani private dhe institucione financiare në vendet në zhvillim, duke shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për t'i dhënë fund varfërisë së skajshme dhe për të rritur prosperitetin e përbashkët. Për më shumë informacion, vizitoni www.ifc.org.

Rreth GAFSP-së

Programi Global i Bujqësisë dhe Sigurisë së Ushqimit (GAFSP) është një përpjekje globale që bashkon fondet e donatorëve për të mbështetur programe të fokusuara në rritjen e produktivitetit bujqësor, si mënyrë për të ulur varfërinë dhe për të rritur sigurinë e ushqimit dhe të ushqyerit. Departamenti i Sektorit Privat, i menaxhuar nga IFC-ja dhe mbështetur nga qeveritë e Australisë, Kanadasë, Japonisë, Holandës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, ofron kredi afatgjata dhe afatshkurtra, garanci kreditore, aksione dhe asistencë teknike për ndërmarrjet e sektorit privat dhe ndërmjetësuesit financiarë. Ajo lidh fermerët e vegjël me tregjet duke përmirësuar qasjen e tyre në financa, teknologji, ekspertizë dhe lëndë të parë për bujqësi.

Qëndroni në lidhje

www.facebook.com/IFCwbg
www.twitter.com/IFC_org
www.youtube.com/IFCvideocasts
www.ifc.org/SocialMediaIndex
www.instagram.comëifc_org

Rreth Agjencionit për Financim në Kosovë (AFK)

AFK-ja është institucioni i katërt më i madh mikrofinanciar në Kosovë me një portofol kreditor prej mbi 36 milionë eurosh, që ofron shërbime për më shumë se 48,000 klientë, me një fokus të fortë në agrobiznes. AFK-ja është themeluar si një organizatë joqeveritare në vitin 1999 nga Mercy Corps, për të ofruar shërbime financiare për ndërmarrjet mikro dhe të vogla në Kosovë. Mercy Corps është një organizatë joqeveritare me seli në Shtetet e Bashkuara që punon në mbi 40 vende të botës duke lehtësuar rimëkëmbjen pas fatkeqësive, duke ndërtuar komunitetet dhe duke ndihmuar në zbutjen e varfërisë. Për më shumë informacion në lidhje me AFK-në, vizitoni https://afkonline.org/

 

 


Contacts

Në Stamboll:

Tolga Sobaci

Telefoni: (212) 385 2532

E-maili: tsobaci@ifc.org