Prishtinë, Kosovë, 30 korrik 2020 —IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, ka krijuar mjetin e ndarjes së rrezikut prej 10 milion EUR me TEB Sh.A., një prej bankave më të mëdha në Kosovë, për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të) sidomos NVM-të në pronësi të grave dhe ato që veprojnë në sektorin e agrobiznesit.
Ky mjet është siguruar sipas Programit për garanci për kredi të vogla të IFC-së (SLGP), një qasje programatike për ndarjen e rrezikut që ka për qëllim forcimin e kapacitetit financiar të institucioneve për të financuar NVM-të në vendet me të hyra të ulëta. SLGP përdor një strukturë të akumuluar të humbjeve të para (first-loss) të cilën e ofron Dritarja për Sektorin Privat Instrumenti i Financave të Shkrira e Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA). Përveç kësaj, Iniciativa për Fonde për Gratë Ndërmarrëse (We-Fi) do të sigurojë incentiva që lidhen me performancën deri në 281,000$ për të mbështetur huat e TEB Sh.A. dhënë NVM-ve.
Derisa NVM-të dominojnë në peizazhin ekonomik të Kosovës, mbi 50% e kompanive në Kosovë e përmendin qasjen në fonde si pengesë serioze për zhvillim, sipas hulumtimit të ndërmarrjeve të Bankës Botërore. Një studim i IFC-së tregoi se 42% e grave në NVM janë të kufizuara financiarisht, dhe se hendeku gjinor është dukshëm më i madh sesa hendeku mesatar në vendet e tjera të IDA-së.
“TEB do të vazhdojë me ofrimin e zgjidhjeve dhe fondeve për NVM-të, që kanë për qëllim dinamizmin dhe idetë e reja”, tha Dren Krypa, Zv./Drejtori Menaxhues në TEB. “Ky partneritet me IFC për ndarjen e rrezikut është një mjetë me vlerë për të mbështetur sektorin e NVM-ve në Kosovë, në veçanti atë të grave ndërmarrëse.”
Sipas Bankës Botërore, vetëm 5.3% e NVM-ve në Kosovë janë me pronësi shumicë në emër të grave dhe 4.8% të tjera kanë një masë pronësie në emër të grave. TEB është banka e vetme në Kosovë që ofron financim të përshtatur veçmas për NVM-të në pronësi të grave.
“Kemi kënaqësinë që tani e thellojmë partneritetin tonë me TEB Sh.A, duke iu mundësuar ndërmarrësve qëndrueshmëri dhe rritje të veprimtarisë. Kjo ka rëndësi të veçantë në këtë kohë të jashtëzakonshme kur bizneset janë ndërprerë nga shpërthimi i pandemisë globale me Covid-19,” tha Vittorio Di Bello, Shefi për Industri në Rajon për Evropë dhe Azi Qendrore i Grupit të Institucioneve Financiare të IFC-së. “IFC pret që mjeti për ndarjen e rrezikut do të ndihmojë në ruajtjen dhe krijimin e vendeve të reja të punës dhe do të demonstrojë në treg se kreditimi i NVM-ve në pronësi të grave dhe NVM-ve në agrobiznes është komercialisht i arsyeshëm.”
Rreth IFC-së
IFC-ja është organizatë simotër e Bankës Botërore dhe anëtare e Grupit të Bankës Botërore — është institucioni më i madh i zhvillimit global i fokusuar në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Ne punojmë në mbi 100 vende në mbarë botën, duke e shfrytëzuar kapitalin, ekspertizën, dhe ndikimin tonë për të krijuar tregje dhe mundësi në vendet në zhvillim. Në vitin fiskal 2019, ne investuam më shumë se 19 miliardë USD në financimin afatgjatë për vendet në zhvillim, duke e shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për t'i dhënë fund varfërisë ekstreme dhe për të rritur prosperitetin e përbashkët. Për më shumë informata, vizitoni ww.ifc.org.
Rreth bankës TEB
TEB Sh.A. është një ndërmarrje e përbashkët e BNP Paribas që vepron në Kosovë që nga viti 2009. Është lidere në biznesin e kartelave dhe ka një portofol të fuqishëm në sektorin me pakicë dhe të NVM-ve. Banka i ka 29 degë në tërë vendin. Vizioni ynë është që të jemi banka që ofron përvojën më të mirë për klientët në Kosovë, për të krijuar gjithnjë vlerë të çmuar për klientët tanë, aksionarët, punonjësit, dhe shoqërinë. Për më shumë informata, vizitoni www.teb-kos.com
Rreth Dritares për Sektorin Privat të IDA
Si pjesë e rekordit prej 75 miliardë dollarësh të rifreskimit me fonde IDA18, Grupi i Bankës Botërore formoi Dritaren me 2.5 miliardë dollarë për Sektorin Privat në IDA, për të katalizuar investimet në sektorin privat në vendet më të varfra dhe më të brishta. Duke e njohur rolin e sektorit privat në përmbushjen e objektivave IDA18 dhe objektivat për zhvillim të qëndrueshëm, kjo dritare ofron fonde koncesionare për bashkë-investime paralel me IFC-në dhe investimet private të Agjencisë për Garantimin e Investimeve (MIGA). Fondet koncesionare ndihmojnë në zbutjen e rrezikut dhe uljen e pengesave, të cilat i zhbllokojnë dhe i kanalizojnë ato kah investimet private në tregjet e reja. Për më shumë informata, vizitoni https://ida.worldbank.org/psw
Rreth We-Fi
Iniciativa për Fonde për Gratë Ndërmarrëse (We-Fi) është një partneritet për bashkëpunim në mes katërmbëdhjetë qeverive dhe tetë bankave multilaterale për zhvillim. E vendosur në Grupin e Bankës Botërore, We-Fi synon të zhbllokojë miliarda dollarë në fonde për të luftuar serinë e pengesave me të cilat ballafaqohen gratë ndërmarrëse — duke e rritur qasjen në fonde, tregje, teknologji, dhe mentorim, e në të njëjtën kohë duke i forcuar politikat, dhe kornizat ligjore e rregullative. Si një prej partnereve implementues të We-Fi, IFC mbështet klientët në sektorin privat me shërbime për investime e konsultime për të gjeruar shërbime financiare dhe qasjen në treg për kompanitë në pronësi/udhëheqje të grave, si dhe për ngritjen e kapaciteteve të grave ndërmarrëse për të menaxhuar bizneset me rritje të madhe. Për më shumë informata, vizitoni we-fi.org.
Qëndroni në lidhje